External Publication
Visit Post

Kush janë ministrat e rinj në kabinetin e rikonstruktuar të Maqedonisë së Veriut?

Zhurma Press July 2, 2026
Source

SHKUP — VLEN-i ka konfirmuar emrat e ministrave të rinj në kabinetin e rikonstruktuar të Maqedonisë së Veriut, pas mbajtjes së presidencës së partisë. Jeton Shasivari do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, Sedat Sulejmani atë të Kulturës, ndërsa Agon Ferati do të marrë portofolin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, shpjegoi se vendimi u mor për të sjellë "energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve". Megjithatë, disa figura të kabinetit të mëparshëm mbeten në postet e tyre: Bekim Sali si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi për Ekonomi dhe Punë, si dhe Muhamet Hoxha për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Rikonstruksioni erdhi pas mbajtjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ku u zyrtarizua ndryshimi i kabinetit. VLEN-i humbi dy portofole: Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Azir Aliu, dhe atë të Politikës Sociale, me Fatmir Limanin në krye. Gjithashtu, u shkri posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, pas dorëheqjes së Arben Fetait.

Emrat e ministrave të rinj kishin qarkulluar në media ditë më parë, por u konfirmuan zyrtarisht vetëm të mërkurën, pasi kryeministri kishte refuzuar t’i zbulonte. Vendimi i VLEN-it vjen në një moment kur koalicioni qeveritar kërkon të forcojë pozicionin e tij para sfidave të ardhshme politike.

*Burim: Almakos_* — Redaksia ZHURMA_

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...