External Publication
Visit Post

Pse LBK kërkon formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve?

Zhurma Press June 8, 2026
Source

PRISHTINË — Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka përshëndetur përfundimin e procesit zgjedhor dhe vlerëson pjekurinë demokratike të treguar nga qytetarët, institucionet e rendit dhe sigurisë, si dhe aktorët politikë që kontribuan në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

"Në emër të komunitetit të biznesit, bëjmë thirrje që menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës", thotë LBK-ja në njoftim. Organizata thekson se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe me mandat të plotë për të adresuar sfidat ekonomike, avancuar projektet strategjike dhe përmirësuar klimën e të bërit biznes.

Komuniteti i biznesit paralajmëron se çdo vonesë në formimin e institucioneve krijon pasiguri për sektorin privat, dëmton besimin e investitorëve dhe ndikon negativisht në perspektivën ekonomike. Zvarritja e proceseve, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë reformat ekonomike, realizimin e projekteve zhvillimore, proceset integruese evropiane dhe përpjekjet për rritjen e punësimit.

LBK-ja fton subjektet politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të vendosin interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik mbi çdo interes tjetër.

Burim: Zëri — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...