{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreidhmbtuabvwq3uss7jjhzwh5qvtrtzqbrpqq6uigaosgp2hb4weha",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mnrfm5otlgw2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreid62uyqigj4funsya6jokdbfwe7yqdamljqcpzvi4lxf6zuyssj5e"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 175000
},
"description": "Lidhja e Bizneseve të Kosovës bën thirrje për konstituimin e Kuvendit menjëherë pas certifikimit të rezultateve.",
"path": "/lbk-kerkon-formimin-e-shpejte-te-institucioneve/",
"publishedAt": "2026-06-08T09:46:53.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Zëri"
],
"textContent": "PRISHTINË — Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka përshëndetur përfundimin e procesit zgjedhor dhe vlerëson pjekurinë demokratike të treguar nga qytetarët, institucionet e rendit dhe sigurisë, si dhe aktorët politikë që kontribuan në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.\n\n\"Në emër të komunitetit të biznesit, bëjmë thirrje që menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës\", thotë LBK-ja në njoftim. Organizata thekson se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe me mandat të plotë për të adresuar sfidat ekonomike, avancuar projektet strategjike dhe përmirësuar klimën e të bërit biznes.\n\nKomuniteti i biznesit paralajmëron se çdo vonesë në formimin e institucioneve krijon pasiguri për sektorin privat, dëmton besimin e investitorëve dhe ndikon negativisht në perspektivën ekonomike. Zvarritja e proceseve, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë reformat ekonomike, realizimin e projekteve zhvillimore, proceset integruese evropiane dhe përpjekjet për rritjen e punësimit.\n\nLBK-ja fton subjektet politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të vendosin interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik mbi çdo interes tjetër.\n\n_Burim:_ Zëri\n_— Redaksia ZHURMA_",
"title": "Pse LBK kërkon formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve?",
"updatedAt": "2026-06-09T13:56:59.091Z"
}