External Publication
Visit Post

Pse ngrihet flamuri i Amerikës në oborrin e xhamisë?

Zhurma Press July 4, 2026
Source

PRISHTINË — Nën intonimin e himnit amerikan, flamuri i Shteteve të Bashkuara u ngrit të shtunën në oborrin e Xhamisë "Prof. Dr. Bedri Kamberi". Flamurin e ngriti vetë imami Labinot Maliqi, në një ceremoni simbolike të mbushur me mesazhe mirënjohjeje, në shënim të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Për të katërtin vit radhazi, ky akt u organizua si shprehje e sinqertë mirënjohjeje për mbështetjen historike amerikane ndaj Kosovës. Maliqi tha se ngritja e flamurit amerikan në oborrin e xhamisë tashmë është bërë traditë, duke shprehur mirënjohjen e popullit kosovar ndaj SHBA-së.

"Sot Amerika kremton 250-vjetorin e pavarësisë," tha Maliqi. "Një jubile historik që na kujton lindjen e një shteti të ndërtuar mbi një parim të madh: se njeriu ka dinjitet, se liria është e shenjtë dhe se të drejtat themelore nuk burojnë nga pushteti i njerëzve, por ato burojnë nga Krijuesi i Madhërishëm."

Imami u përqendrua në vlerat mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara: liria e fesë dhe e ndërgjegjes. "Besimi nuk mund të imponohet me forcë," u shpreh ai, duke theksuar se njeriu duhet të jetë i lirë të kërkojë të vërtetën me bindje, me arsye dhe me ndërgjegje.

Si popull që ka përjetuar luftën, padrejtësinë dhe mungesën e lirisë, tha Maliqi, kosovarët e kuptojnë më mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa vlen një mik i vërtetë në ditët më të vështira. Shtetet e Bashkuara festuan të shtunën 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë e shënuar më 4 korrik.

Maliqi përmendi mësimin islam: "Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Zotin." Ai tha se përmes kësaj ceremonie modeste, por me domethënie të madhe, Kosova e vë në jetë pikërisht këtë mësim, duke falënderuar një mik të madh.

"Faleminderit, Amerikë!" tha Maliqi në mbyllje. Ai falënderoi SHBA-në për miqësinë e qëndrueshme, mbështetjen e palëkundur dhe kontributin historik në liri, paqe dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke shtuar se mirënjohja buron edhe nga mësimet fetare të popullit kosovar.

Burim: Lajmi.net — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...