External Publication
Visit Post

Pse Serbia pengon integrimin e tregut të energjisë në Kosovë?

Zhurma Press July 2, 2026
Source

PRISHTINË — Në Qeverinë e Kosovës po mbahet takimi i Këshillit Ministror Joformal 2026, ku marrin pjesë ministrat përgjegjës për energjinë dhe klimën nga rajoni i Komunitetit të Energjisë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli për rëndësinë e këtij takimi, duke ngritur shqetësime ndaj Serbisë. Ajo deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, por theksoi se operatori serb vazhdon të mohojë komunikimet e drejtpërdrejta me KOSTT-in.

„Serbia po i vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit dhe Kosovës. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq derisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet“, tha Rizvanolli. Ajo shtoi se mekanizmat e përbashkët janë të domosdoshëm për të krijuar një treg të mirëfilltë energjetik.

Rizvanolli theksoi tre çështje kryesore që Kosova po i shtyn para: integrimi i tregut të energjisë, tranzicioni energjetik dhe investimet e bashkërenduara. „Si shtet ku përkrahja për anëtarësim në BE është absolute, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të tregjeve të energjisë elektrike“, deklaroi ajo.

Yolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, vlerësoi përparimin rajonal, por theksoi se siguria e furnizimit mbetet një sfidë. „Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë dëshmuar se çmimet janë të ndryshme, duke krijuar stres për qytetarët“, shtoi ajo.

Artur Lorkowski, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, vuri në dukje se Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa lidhje direkte me shtetet anëtare të BE-së. „Ftesa e Bashkimit Evropian është në tavolinë, dhe shumë shtete po bëjnë reforma për të përputhur standartet“, tha ai.

Takimi synon të dërgojë një sinjal të fortë në BE për progresin e shpejtë në integrimin energjetik të rajonit, me theks në ndërlidhjen e tregjeve dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje.

*Burim: Lajmi.net_* — Redaksia ZHURMA_

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...