{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreicxhcbfzuilpjjwdicexpg6jnkunevzc2s3szj3jx2qzx5jvryo2q",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mpnonugi6bu2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreihxof4nhzfe3vzgzmehiuo56c542l7lufkqwlw5s2wtwkxejhzooa"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 240643
},
"description": "Pse mohimi i komunikimit me KOSTT-in nga Serbia është barrierë për konsumatorët e rajonit?",
"path": "/pse-serbia-pengon-integrimin-e-tregut-te-energjise-ne-kosove/",
"publishedAt": "2026-07-02T09:08:41.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Artane Rizvanolli",
"Bashkimin Evropian",
"Lajmi.net"
],
"textContent": "PRISHTINË — Në Qeverinë e Kosovës po mbahet takimi i Këshillit Ministror Joformal 2026, ku marrin pjesë ministrat përgjegjës për energjinë dhe klimën nga rajoni i Komunitetit të Energjisë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.\n\nMinistrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli për rëndësinë e këtij takimi, duke ngritur shqetësime ndaj Serbisë. Ajo deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, por theksoi se operatori serb vazhdon të mohojë komunikimet e drejtpërdrejta me KOSTT-in.\n\n„Serbia po i vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit dhe Kosovës. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq derisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet“, tha Rizvanolli. Ajo shtoi se mekanizmat e përbashkët janë të domosdoshëm për të krijuar një treg të mirëfilltë energjetik.\n\nRizvanolli theksoi tre çështje kryesore që Kosova po i shtyn para: integrimi i tregut të energjisë, tranzicioni energjetik dhe investimet e bashkërenduara. „Si shtet ku përkrahja për anëtarësim në BE është absolute, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit të tregjeve të energjisë elektrike“, deklaroi ajo.\n\nYolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, vlerësoi përparimin rajonal, por theksoi se siguria e furnizimit mbetet një sfidë. „Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë dëshmuar se çmimet janë të ndryshme, duke krijuar stres për qytetarët“, shtoi ajo.\n\nArtur Lorkowski, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, vuri në dukje se Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa lidhje direkte me shtetet anëtare të BE-së. „Ftesa e Bashkimit Evropian është në tavolinë, dhe shumë shtete po bëjnë reforma për të përputhur standartet“, tha ai.\n\nTakimi synon të dërgojë një sinjal të fortë në BE për progresin e shpejtë në integrimin energjetik të rajonit, me theks në ndërlidhjen e tregjeve dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje.\n\n_*Burim:_ Lajmi.net_*\n— Redaksia ZHURMA_",
"title": "Pse Serbia pengon integrimin e tregut të energjisë në Kosovë?",
"updatedAt": "2026-07-07T23:49:17.856Z"
}