External Publication
Visit Post

Pse dështoi skema e kreditimit për bujqësinë?

Zhurma Press July 1, 2026
Source
TIRANË — Qeveria ka pranuar zyrtarisht dështimin e skemës së shumë trumbetuar për kreditimin e bujqësisë. Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ndryshoi vendimin duke e hapur garancinë shtetërore për nxitjen e kreditimit të bujqësisë për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme pavarësisht sektorit ku operojnë. “Miratimin e linjës së garancisë shtetërore të huas, në vlerën 5 miliardë lekë, për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të veprimtarisë së tyre ekonomike si dhe fermerëve të regjistruar e të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, që ushtrojnë veprimtari në sektorin e bujqësisë,” thuhet në vendimin e qeverisë. Pavarësisht se qeveria vuri në dispozicion të bankave garanci buxhetore nëse ato kreditonin fermerët si dhe mori përsipër subvencionimin e interesave, sërish kredia për bujqësinë nuk u rrit duke e lënë sektorin të nënfinancuar dhe në një krizë të stërgjatë me rënie për disa vjet rresht. Skema e kreditimit ishte shpallur nga kryeministri Edi Rama në shkurt të vitit të kaluar si një histori e madhe suksesi për mbështetjen e bujqësisë. Bëhej fjalë për çeljen e një linje financimi me garanci sovrane, ku fermerët do të merrnin kredi me interes 2 për qind nga bankat dhe shteti do të garantonte deri në 70 për qind të principalit. Sipas planit të lajmëruar nga shefi i qeverisë, linja e kredisë do ishte deri në 250 milionë euro. Vendimi i qeverisë për çeljen e skemës u miratua në korrik. Por fjalët e shefit të qeverisë i mori era shpejt, ashtu siç ndodh shpesh me premtimet bombastike. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun kohor të një viti kredia për bujqësinë u rrit me vetëm 7 milionë euro, duke arritur në rreth 70 milionë euro. Ndërsa përrallat me 1 miliardë euro, që kryeministri u tregoi fermerëve gjatë fushatës elektorale, rezultuan kallp. Përballë këtij dështimi qeveria ka vendosur ta hapë skemën për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, duke u dhënë të drejtën të marrin kredi ndërmarrjeve nga çdo sektor i ekonomisë. *Burim: Report Tv, https://report.al/skema-e-kreditimit-nuk-dha-rezultat-qeveria-pranon-deshtimin-ne-bujqesi/* *— Redaksia ZHURMA*

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...