{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreibql7rxqtirqzhwyjoq3dsin64lpxxgjysgqgmmq4kbu2sary3zla",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mplsi6khnxt2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreib3kgolnqch63wu5fnzxboiqmem7saiguua6qi5pn6zn2d5a3lyim"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 149107
},
"description": "Qeveria pranon dështimin e skemës së kreditimit për bujqësinë, por çfarë do të ndodhë tani?",
"path": "/deshtimi-i-skemes-se-kreditimit-per-bujqesi/",
"publishedAt": "2026-07-01T15:11:45.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"textContent": "TIRANË — Qeveria ka pranuar zyrtarisht dështimin e skemës së shumë trumbetuar për kreditimin e bujqësisë. Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ndryshoi vendimin duke e hapur garancinë shtetërore për nxitjen e kreditimit të bujqësisë për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme pavarësisht sektorit ku operojnë.\n\n“Miratimin e linjës së garancisë shtetërore të huas, në vlerën 5 miliardë lekë, për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të veprimtarisë së tyre ekonomike si dhe fermerëve të regjistruar e të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, që ushtrojnë veprimtari në sektorin e bujqësisë,” thuhet në vendimin e qeverisë.\n\nPavarësisht se qeveria vuri në dispozicion të bankave garanci buxhetore nëse ato kreditonin fermerët si dhe mori përsipër subvencionimin e interesave, sërish kredia për bujqësinë nuk u rrit duke e lënë sektorin të nënfinancuar dhe në një krizë të stërgjatë me rënie për disa vjet rresht.\n\nSkema e kreditimit ishte shpallur nga kryeministri Edi Rama në shkurt të vitit të kaluar si një histori e madhe suksesi për mbështetjen e bujqësisë. Bëhej fjalë për çeljen e një linje financimi me garanci sovrane, ku fermerët do të merrnin kredi me interes 2 për qind nga bankat dhe shteti do të garantonte deri në 70 për qind të principalit.\n\nSipas planit të lajmëruar nga shefi i qeverisë, linja e kredisë do ishte deri në 250 milionë euro. Vendimi i qeverisë për çeljen e skemës u miratua në korrik. Por fjalët e shefit të qeverisë i mori era shpejt, ashtu siç ndodh shpesh me premtimet bombastike.\n\nTë dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun kohor të një viti kredia për bujqësinë u rrit me vetëm 7 milionë euro, duke arritur në rreth 70 milionë euro. Ndërsa përrallat me 1 miliardë euro, që kryeministri u tregoi fermerëve gjatë fushatës elektorale, rezultuan kallp.\n\nPërballë këtij dështimi qeveria ka vendosur ta hapë skemën për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, duke u dhënë të drejtën të marrin kredi ndërmarrjeve nga çdo sektor i ekonomisë.\n\n*Burim: Report Tv, https://report.al/skema-e-kreditimit-nuk-dha-rezultat-qeveria-pranon-deshtimin-ne-bujqesi/*\n\n*— Redaksia ZHURMA*",
"title": "Pse dështoi skema e kreditimit për bujqësinë?",
"updatedAt": "2026-07-01T16:46:25.244Z"
}