External Publication
Visit Post

Pse po përjeton Nenad Rashiq fushatën dezinformuese?

Zhurma Press June 29, 2026
Source

PRISHTINË — Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, disa media serbe dhe ruse në gjuhën serbe intensifikuan narrativën se partia Lista Serbe është i vetmi subjekt politik që përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkohë, partitë tjera politike serbe, veçanërisht subjekti politik që drejton Nenad Rashiq, “Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, u paraqitën si jo legjitime, “të lidhura me institucionet e Kosovës” ose si “instrumente politike të Albin Kurtit”.

Kjo narrativë është identifikuar në artikujt e publikuar nga Russia Today Balkan, Sputnik Serbia, si dhe në deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Përveç Listës Serbe, në zgjedhjet e parakohshme mori pjesë edhe një forcë tjetër politike Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e drejtuar nga Nenad Rashiq.

Ndërkohë që një subjekt i tretë serb, iniciativa “Fitojmë së Bashku”, nuk u certifikua për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në një dokumentar të prodhuar nga Kallxo Përnime, kryetari i Partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë Nenad Rashiq, kishte rrëfyer përballjen e tij personale me dezinformatat që vijnë nga Serbia, me theks të veçantë me dezinformatat që vijnë nga mediat e kontrolluara nga partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jo vetëm në formën votoni apo mos votoni, por deri te stigmatizimi: ‘Ky Rashiqi është njeriu më i keq, është tradhtari i klasës së parë, e ka bërë kështu e kështu. Ai nuk është as njeri, nuk është as serb, e ka ndryshuar fenë’. Njerëzit normalë nuk e pranojnë, por problemi është që kur bombardoni për çdo ditë me deklarata që bëjnë Vuçiqi, Petkoviqi, apo Lista Serbe, është i njëjtë me modelin e njëjtë.

Ju në një moment, duhet ta shikoni nga këndvështrimi i një pensionisti aty, i cili po shikon për çdo ditë, për 24 orë, Pinkun dhe Informerin. Normale që ka ndikim”- kishte thënë Rashiq.

Narrativa dezinformuese se “Vetëm Lista Serbe mbron interesat e serbëve” Në raportimet e Sputnik Serbia dhe RT Balkan, Lista Serbe paraqitet vazhdimisht si mbrojtësja e vetme e shkollave serbe, spitaleve, institucioneve dhe identitetit kombëtar serb në Kosovë.

Mënyra se si paraqitet kjo parti në raportime, lë të nënkuptohet se Lista Serbe është i vetmi opsion për votuesit serb.

Kjo narrativë është shtyrë edhe nga zyrtarë të Serbisë, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.

Gjatë fushatës zgjedhore e cila nisi më 28.05.2026, ata bënë thirrje për votim dhe mbështetje ndaj Listës Serbe, duke cilësuar se vetëm kjo parti “është garanci për ruajtjen e interesave kombëtare serbe në Kosovë e Metohi”.

Petkoviq gjatë një konference më 03.06.2026, deklaroi se çdo votë për Listën Serbe është një votë për mbijetesën dhe qëndrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Burim: Kallxo — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...