Pse tifozët e Koresë së Jugut kërkojnë shkarkimin e trajnerit Hong Myung-bo?
SEUL — Një peticion për shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit të Kombëtares së Koresë së Jugut, Hong Myung-bo, ka nisur pas humbjes 1-0 ndaj Afrikës së Jugut në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.
Revolta e tifozëve vjen pas një turneu zhgënjyes, ku skuadra grumbulloi vetëm një fitore dhe dy humbje, duke rrezikuar eliminimin. Peticioni është publikuar në platformën e Asamblesë Kombëtare dhe kërkon jo vetëm largimin e trajnerit, por edhe ndryshime në mënyrën e emërimit të drejtuesve të kombëtares.
Në tekstin e peticionit thuhet se, pavarësisht se Koreja e Jugut kishte një nga skuadrat më të forta në historinë e saj, paraqitja në Botëror ishte zhgënjyese. Humbja ndaj Afrikës së Jugut përshkruhet si "një nga performancat më të dobëta të një skuadre koreane në historinë e Kupës së Botës".
Gjithashtu kërkohet ndalimi i emërimeve të trajnerëve duke anashkaluar organet zyrtare të federatës. Zemërimi i tifozëve u shtua edhe nga vendimi i Hong Myung-bo për të lënë në stol kapitenin Son Heung-min në ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut.
Trajneri deklaroi më pas se zgjedhja ishte taktike dhe synonte ta aktivizonte sulmuesin në pjesën e dytë, për të përfituar nga lodhja e kundërshtarëve, por strategjia nuk dha rezultat. Peticioni ka siguruar tashmë mbi 100 mbështetje, minimumi i nevojshëm për shqyrtimin fillestar nga Asambleja Kombëtare.
Nëse publikohet zyrtarisht dhe mbledh të paktën 50 mijë firma brenda 30 ditëve, ai do t’i kalojë komisionit parlamentar përkatës për shqyrtim.
Burim: Euronews Albania — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere