External Publication
Visit Post

Çfarë po ndodh me rehabilitimin e banjave të Bënjës?

Zhurma Press June 26, 2026
Source

PËRMET — Ministria e Mjedisit njofton se punimet në kuadër të projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik” po vijojnë me ritme të qëndrueshme. Synimi është rehabilitimi i zonës, përmirësimi i infrastrukturës dhe organizimi i shërbimeve për vizitorët, duke ruajtur vlerat natyrore unike. Në vitin 2025, Banjat e Bënjës u vizituan nga 103 761 turistë vendas dhe të huaj, duke konfirmuar potencialin e madh të destinacionit.

Zona ndodhet ende në proces rehabilitimi dhe ndërhyrjet nuk kanë përfunduar, shpjegon Ministria. Pamjet e publikuara së fundmi pasqyrojnë faza të përkohshme të punimeve, jo gjendjen përfundimtare. Pavarësisht punimeve, interesi i vizitorëve mbetet i lartë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura monitoron zbatimin për të garantuar ruajtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin sipas parimeve të turizmit të qëndrueshëm.

Sipas njoftimit, ndërhyrjet po realizohen në harmoni me mjedisin natyror dhe pa cenuar përvojën e vizitorëve, të cilët vijojnë të frekuentojnë banjat termale dhe atraksionet e tjera. Pas përfundimit të punimeve, Banjat e Bënjës do t’u ofrojnë vizitorëve një eksperiencë më cilësore, duke ndërthurur pasuritë natyrore, historinë, peizazhin unik dhe standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.

Burim: ATSH — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...