External Publication
Visit Post

Çfarë ofron skema e re kombëtare për mbi 32 mijë fermerë që aplikuan?

Zhurma Press June 23, 2026
Source
TIRANË — Skema kombëtare e financimit në bujqësi për vitin 2026 ka tërhequr interes të madh nga fermerët shqiptarë. Deri më tani, mbi 32 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga kjo skemë, e cila ofron mbështetje financiare për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është më 26 qershor, dhe kanë mbetur edhe vetëm 3 ditë kohë deri në mbylljen e tij. Për sa i përket procesit të aplikimit, masat direkte kryhen online në portalin e-Albania, ndërsa për masat e investimeve, dokumentacioni duhet të dorëzohet fizikisht pranë zyrave qendrore të Agjencisë Zhvillimore të Bujqësisë dhe Ruralitetit (AZHBR). Skema Kombëtare 2026 përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimi. Vlera e financimit për sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore është parashikuar të jetë 10,000 lekë për hektar (lekë/ha), me kusht që sipërfaqja e mbjellë të jetë minimumi 3 hektarë. Për fermerë me sipërfaqe më të mëdha, skema ofron përfitime shtesë. Ata që kanë të mbjellë mbi 10 hektarë tokë me kulturë bujqësore do të përfitojnë 50% më shumë se vlera bazë. Gjithashtu, prioritet absolut në skemën kombëtare të financimit për këtë vit, me mbështetje 100%, është parashikuar për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor. Në sektorin e blegtorisë, skema e re ka ndryshuar kushtet për të përfituar. Numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor është përgjysmuar. Blegtorët me tufa jo më të vogla se 5 bagëti do të marrin 12 mijë lekë për çdo krerë lopë, ndërsa për të imtat, financimi është rritur nga 1,200 lekë në 1,500 lekë për krerë. *Burim: ABC News* *— Redaksia ZHURMA*

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...