External Publication
Visit Post

Pacolli-Dalipi: Mbi 2,700 ton mbeturina të larguara nga deponitë ilegale

Zhurma Press June 15, 2026
Source

PRISHTINË — Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se aksioni kombëtar për eliminimin e deponive ilegale vazhdon me intensitet të shtuar. Deri më tani janë larguar mbi 2,700 ton mbeturina nga zona të ndryshme të Kosovës.

Sipas njoftimit të saj publik, aktivitetet aktuale po zhvillohen në Prishtinë, Mitrovicë Jug dhe Veri, Pejë, Deçan, Prizren dhe Ferizaj. Ky proces pritet të zgjerohet edhe në qytete të tjera në periudhën në vijim.

"Një nga shkaqet kryesore të krijimit të deponive ilegale ka qenë edhe mungesa e qasjes së qytetarëve në deponitë zyrtare për mbeturina sanitare dhe mbetje nga ndërtimi e rrënimet," deklaroi Pacolli-Dalipi. Ajo njoftoi se në bashkëpunim me KMDK-në po ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Ministrja paralajmëroi se së shpejti do të hapet qasja për qytetarët në deponitë sanitare në Mirash, Podujevë, Landovicë dhe Velekincë, me publikimin e detajeve mbi datat, oraret dhe kushtet e pranimit. Po ashtu, po investohet në rehabilitimin e deponive rajonale në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Podujevë, me qëllim që ato të funksionojnë sipas standardeve evropiane.

Pacolli-Dalipi theksoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj ndotësve të ambientit. Hedhja e mbeturinave jashtë hapësirave të përcaktuara dënohet me ligj me gjobë deri në 5,000 euro. Në përfundim, ajo bëri thirrje për bashkëpunim dhe vetëdijesim më të madh qytetar, duke e cilësuar mbrojtjen e mjedisit si përgjegjësi të përbashkët.

Burim: Telegrafi — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...