External Publication
Visit Post

Supremja refuzon ankesën e VV-së për gjobën e të miturve

Zhurma Press June 12, 2026
Source

PRISHTINË — Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte shqiptuar gjobën prej 6 mijë eurosh për përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore.

Rasti lidhet me dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor në Podujevë dhe Lipjan. Organizata Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kishte paraqitur ankesa për to. PZAP bashkoi procedurat dhe konstatoi shkelje të nenit 5, paragrafit 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024, duke shqiptuar gjobën.

Në ankesën e saj, LVV argumentoi se dispozita në fjalë nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin aktiv të tyre nga subjekti politik, duke pretenduar se një angazhim i tillë nuk ishte provuar në rastin konkret.

Megjithatë, Kolegji i Gjykatës Supreme vlerësoi se ankesa nuk qëndron. Theksoi se PZAP i kishte zbatuar drejt dispozitat përkatëse dhe se qëllimi i nenit është mbrojtja e të miturve në përputhje me interesin e fëmijës dhe standardet ndërkombëtare. Sipas gjykatës, përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nëse fëmijët kanë qenë të shoqëruar nga prindërit.

Lidhur me gjobën, Gjykata konstatoi se PZAP kishte marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin në proces, si dhe faktin se LVV-ja ishte njoftuar më herët për obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme. Me këtë vendim, Supremja la në fuqi vendimin e PZAP-it dhe e refuzoi ankesën në tërësi.

Burim: Insajderi — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...