External Publication
Visit Post

Pse Haliti insiston që presidenti të vijë nga opozita?

Zhurma Press June 12, 2026
Source

PRISHTINË — Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se partia e tij nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie politike për ndërtimin e institucioneve të reja në Kosovë. Haliti, njëherësh kandidat për deputet, kërkoi që presidenti të zgjidhet nga radhët e opozitës duke bërë thirrje për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai tha për RTV21 se PDK-ja është e gatshme të ulet me çdo parti për të negociuar ndarjen e pushtetit. "Marrëveshja është e domosdoshme edhe për presidentin edhe për qeverinë dhe për kryetarin e Kuvendit", u shpreh Haliti, duke theksuar se ndërtimi i institucioneve kërkon përgjegjësi nga të gjitha palët.

Sa i përket presidencës, Haliti tha se çdo kandidat duhet të ketë besimin se nuk do të jetë oponencë e qeverisë. "Normalisht do të ishte që presidenti të vijë nga opozita", shtoi ai, duke paralajmëruar se udhëheqësi i shtetit nuk duhet të jetë një "president kukull" por dikush që e përfaqëson vendin denjësisht.

Haliti foli edhe për mundësitë e koalicionit pas zgjedhjeve. Sipas tij, LVV-ja nuk mund të qeverisë vetëm dhe duhet të bëjë llogaritë me kënd do të hyjë në koalicion. Megjithatë, tha ai, ekziston edhe mundësia e një koalicioni më të madh pa LVV-në nëse kjo e fundit mbetet me numrat aktualë.

PDK-ja me këtë deklaratë pozicionohet si parti e gatshme për negociata, por me kushtin që presidenca t'i takojë opozitës. Tash mbetet se si do t'i përgjigjet LVV-ja kësaj kërkese në bisedimet për ndarjen e pushtetit.

Burim: Ekonomia Online — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...