Begaj uron Kosovën për 27-vjetorin e çlirimit
TIRANË — Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të saj. Përmes një postimi në Facebook, Begaj theksoi se liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë.
"Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë", shkroi Begaj. Presidenti falënderoi NATO-n, e cila sipas tij "qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor".
Sipas Begajt, mbështetja e NATO-s erdhi "në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë". Presidenti shqiptar shprehu mirënjohje për luftëtarët e UÇK-së, për sakrificën e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që kontribuan për lirinë e Kosovës — duke mbyllur me thirrjen: "Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!"
Burim: Ekonomia Online — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere