External Publication
Visit Post

Policia rrethon ML-në e zezë në Durrës, dy të rinjtë ndalohen pas ndjekjes

Zhurma Press June 11, 2026
Source

DURRËS — Moment tensioni janë regjistruar pasditen e 11 qershorit në qendër të Durrësit, ku forca të shumta policie kanë zhvilluar një operacion për ndalimin e një automjeti tip "Mercedes ML" me ngjyrë të zezë. Në automjet udhëtonin dy të rinj nga qyteti bregdetar.

Burime paraprake bëjnë me dije se policia kishte siguruar informacione operative se dy të rinjtë mund të posedonin armë zjarri. Menjëherë pas lokalizimit të mjetit, efektivët u kanë bërë thirrje të ndalonin për kontroll, por ata nuk iu bindën urdhrit.

Gjatë ndërhyrjes, njëri prej të rinjve ka braktisur automjetin në mes të rrugës dhe është larguar me vrap, duke shkaktuar momente paniku te kalimtarët. Personi tjetër u neutralizua dhe shoqërua menjëherë në ambientet e policisë. Pas ndjekjes së organizuar, efektivët arritën të kapin edhe të riun që u arratis.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar informacionet lidhur me armët e zjarrit që dyshohet se posedoheshin nga të rinjtë. Pritet që Policia e Durrësit të japë detaje zyrtare në vijim.

Burim: ABC News — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...