External Publication
Visit Post

Arba Kokalari caktohet në Komisionin e Barazisë së PE-së

Zhurma Press June 11, 2026
Source

BRUKSEL — Eurodeputetja me origjinë shqiptare Arba Kokalari është caktuar në Komisionin e Barazisë së Parlamentit Evropian. Lajmin e bëri të ditur vetë Kokalari përmes një reagimi publik, ku njoftoi se do të kontribuojë në hartimin e politikave të reja që ndërlidhen me inteligjencën artificiale (AI) dhe barazinë gjinore.

Sipas saj, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale sjell mundësi të mëdha, por njëkohësisht paraqet sfida serioze në aspektin e barazisë. Ajo theksoi se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në sektorët e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe profesioneve digjitale, gjë që ndikon në mundësitë e tyre profesionale.

Kokalari kërkoi që Bashkimi Evropian të investojë më shumë në edukimin digjital dhe krijimin e mundësive më të mëdha për gratë dhe vajzat në fushat e teknologjisë. Ajo ngriti shqetësime për përdorimin e papërgjegjshëm të teknologjisë, duke përmendur fenomenin e "deepfake" dhe përmbajtjet abuzive të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat sipas saj prekin veçanërisht gratë. "Gratë duhet të kenë mundësi më të mira për të formësuar të ardhmen digjitale dhe mbrojtje të fortë kur teknologjia keqpërdoret", ka deklaruar ajo.

Eurodeputetja u bëri thirrje qytetarëve, ekspertëve dhe organizatave të ndryshme që të kontribuojnë me ide dhe propozime për politikat e ardhshme. Kokalari është anëtare e Parlamentit Evropian dhe përfaqëson Suedinë, duke u dalluar për angazhimin në çështjet e tregut digjital, sigurisë dhe barazisë gjinore.

Burim: Zëri — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...