Malaj: Bankers Petroleum ka nisur këstet e 120 milionë eurove
TIRANË — Ministri i Financave, Petrit Malaj, iu përgjigj sot në Kuvend interpelancës së kërkuar nga kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me detyrimin financiar prej rreth 120 milionë eurosh ndaj Bankers Petroleum. Malaj paraqiti historikun e çështjes duke kërkuar ndarjen mes pretendimeve politike dhe procesit juridik që ka ndjekur administrata shqiptare.
Sipas ministrit, marrëveshja hidrokarbure për vendburimin Patos-Marinzë u nënshkrua në qershor 2004 dhe parashikonte lehtësira fiskale, përfshirë përjashtimin nga akciza për produktet energjetike të përdorura në nxjerrjen e naftës bruto. Këto përjashtime qëndruan në fuqi deri më 1 prill 2014, kur ndryshimet fiskale i hoqën.
Malaj tha se në shtator 2014 administrata doganore njoftoi kompaninë për një detyrim akcize të papaguar prej 589 milionë lekësh për holluesin e përdorur në proceset hidrokarbure. Procesi gjyqësor zgjati afro 10 vjet dhe përfundoi në mars 2022 me vendim të Gjykatës së Lartë në favor të administratës doganore.
Në maj 2019 u krye një kontroll tjetër, nga i cili rezultoi një detyrim shtesë prej 3,09 miliardë lekësh. Së bashku me gjobat, detyrimi total arriti në 12,48 miliardë lekë. Në dhjetor 2025 gjykata vendosi sërish në favor të administratës doganore. Sipas Malajt, kompania nuk dispononte në llogari shumën e nevojshme për bllokim të menjëhershëm.
Aktualisht është arritur një dakordësi për shlyerjen me këste të detyrimit prej rreth 3 miliardë lekësh. "Ky detyrim është duke u shlyer me këste. Deri më sot janë mbledhur 1,5 milionë dollarë", deklaroi Malaj.
Burim: ATSH — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere