External Publication
Visit Post

AGK: KPM-ja kërcënon mbylljen e 'Debat Plusit' në TV Dukagjini

Zhurma Press June 10, 2026
Source

PRISHTINË — Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur "thellësisht i shqetësuar" nga diskutimi i sotëm në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku nënkryetarja Drita Morina propozoi që në mbledhjen e radhës të diskutohet mbyllja e emisionit Debat Plus në TV Dukagjini.

AGK-ja e vlerëson këtë deklaratë si "të papranueshme, të papërgjegjshme dhe si sulm frontal ndaj lirisë së medias". Në reagimin e saj, citon se "diskutimi i sotëm është vazhdimësi e vendimeve të pabaza ndëshkuese kundër mediave në ditët e fundit".

Asociacioni rithekson se nuk është në kompetencën e KPM-së të dënojë mediat për shkak të debatit dhe deklaratave të të ftuarve. Reagimi i AGK-së shkon më tej, duke iu referuar "vendimeve të paprecedenta me gjoba nga përbërja e re e KPM-së" që "vërtetojnë alarmin e ngritur nga AGK-ja dhe shoqëria civile se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë, të cilat synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve".

AGK-ja i bën thirrje KPM-së të heqë dorë nga praktika e ndëshkimit të mediave dhe të kryejë punën brenda kompetencave ligjore.

Burim: Zëri — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...