{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreihqcv6q7xedeb6a7vbubkbdesh4qbm3yml7so6xglwtcraambjjzm",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mptmhaajtlk2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreiamscmihwb43lv2ovgbae5ui3s3tgc6n5vcd7ykkla5qbnyx2uybi"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 175357
},
"description": "Maqedonci theksoi se këtë vit Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë",
"path": "/shba-partner-i-pazevendesueshem-i-kosoves/",
"publishedAt": "2026-07-04T17:45:08.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Ejup Maqedonci",
"NATO"
],
"textContent": "PRISHTINË — Ejup Maqedonci, minstri në detyrë i Mbrojtjes, ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në Kampin Bondsteel me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Maqedonci bëri të ditur se në këtë ngjarje ishte i shoqëruar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe nga ushtarakë amerikanë që shërbejnë në Kosovë.\n\nMaqedonci theksoi se këtë vit Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke i cilësuar ato si simbol të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta, si dhe një vend udhëheqës në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në botë.\n\n“Për Republikën e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më shumë se një aleat strategjik – janë një mik i dëshmuar në momentet më vendimtare të historisë sonë dhe një partner i pazëvendësueshëm në rrugëtimin tonë”- ka shkruar Maqedonci, të shtunën, më 04.07.2026.\n\nNë fund, ai uroi popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut dhe 250-vjetorit të pavarësisë. Sot, më 04.07.2026 shënohet 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.\n\nKosova është cilësuar si një nga shtetet më proamerikane në botë. Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i dolën asaj në krah kur po përjetonte luftën më 1998/1999.\n\nForcat ushtarake amerikane janë të pranishme në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s, që nga përfundimi i luftës dhe largimi i forcave serbe, në vitin 1999.\n\nAktualisht, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka 4,657 trupa që vijnë nga 28 vende të botës. Forcat amerikane në këtë mision numërojnë 590 ushtarë.\n\nMomenti për pavarësinë kulmoi më 2 korrik 1776, kur Kongresi votoi fshehurazi në favor të shkëputjes nga Britania e Madhe, duke krijuar terrenin për një deklaratë historike.\n\nDy ditë pas votimit vendimtar, më 4 korrik 1776, u miratua formulimi përfundimtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe dokumenti u publikua zyrtarisht, duke shënuar një moment kyç në historinë amerikane.\n\nBurim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/maqedonci-shba-partner-i-pazevendesueshem-i-kosoves/\n\n— Redaksia ZHURMA",
"title": "Pse SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm i Kosovës?",
"updatedAt": "2026-07-04T19:27:44.349Z"
}