{
  "$type": "site.standard.document",
  "bskyPostRef": {
    "cid": "bafyreibk3svf4wxe4zb63l7u3yxyabf4wcrfbd2flm52ckhe4r3o3ytl34",
    "uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mpqlcvpxyxd2"
  },
  "coverImage": {
    "$type": "blob",
    "ref": {
      "$link": "bafkreibg2welcjuvjgcjzdwqgsgbdmeu52mj3fbqlshgnumz4wozoyhe2a"
    },
    "mimeType": "image/jpeg",
    "size": 92338
  },
  "description": "Pse Beogradi e interpreton pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në 'Combat Power 26' si provë për armatosjen e Serbisë?",
  "path": "/si-serbia-shnderroi-stervitjen-e-fsk-ne-kroaci-ne-kercenim/",
  "publishedAt": "2026-07-03T12:46:49.000Z",
  "site": "https://zhurma.press",
  "tags": [
    "Ejup Maqedonci",
    "FSK",
    "Gazeta Dukagjini"
  ],
  "textContent": "SLUNJ — Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare ushtarake \"Combat Power 26\", e zhvilluar në poligonin e Slunjit, Kroaci, më 1 korrik.\n\nMegjithatë, Beogradi e shfrytëzoi këtë aktivitet si një tjetër mundësi për të përforcuar narrativën e vet për Kosovën si kërcënim ndaj sigurisë rajonale. Në një artikull të publikuar nga Novosti.rs, stërvitja u paraqit si \"provë\" e një rreziku të drejtpërdrejtë për Serbinë.\n\nQë në titullin alarmues \"Çfarë po përgatitet?\", Serbia sugjeron se pjesëmarrja e FSK-së nuk ishte një aktivitet i zakonshëm ushtarak, por pjesë e një strategjie kundër saj. Përdorimi i termave \"shteti i rremë\" dhe \"të ashtuquajturat FSK\" synon delegjitimimin e institucioneve të Kosovës.\n\nKjo narrativë është vazhdimësi e diskursit serb pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Në vend që ta trajtojë atë si një marrëveshje partneriteti, Beogradi e paraqet si krijimin e një aleance ushtarake kundër Serbisë.\n\nÇdo stërvitje e përbashkët ose zhvillim i kapaciteteve të FSK-së futet në këtë kornizë, duke u interpretuar si dëshmi se Serbia po përballet me një kërcënim të ri. Kjo shërben për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe blerjen e sistemeve të reja të armatimit.\n\nNdërtimi i këtij artikulli synon të ushqejë perceptimin e një \"Serbie të rrethuar\", e cila, sipas kësaj narrative, duhet të vazhdojë militarizimin për t’u mbrojtur. Kjo strategji i jep legjitimitet politik rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe modernizimit të forcave të armatosura serbe.\n\nPërmes këtij framing-u, Novosti.rs nuk raporton thjesht për një stërvitje, por e përdor atë për të përforcuar narrativën se Kosova, në koordinim me Kroacinë dhe Shqipërinë, po ndërton kapacitete që përbëjnë rrezik për Serbinë. Kjo synon të delegjitimojë institucionet e Kosovës dhe të nxisë ndjenjën e pasigurisë në opinionin publik serb.\n\n_Burim:_ Gazeta Dukagjini\n_— Redaksia ZHURMA_",
  "title": "Si e shndërroi Serbia stërvitjen e FSK-së në Kroaci në kërcënim ndaj saj?",
  "updatedAt": "2026-07-03T14:45:19.354Z"
}