External Publication
Visit Post

Pse AUV-ja nuk ka mbyllur subjektin e qumështit pas inspektimit?

Zhurma Press July 3, 2026
Source

PRISHTINË — Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të tij, duke verifikuar përputhshmërinë me legjislacionin dhe standardet e sigurisë ushqimore.

Gjatë kontrollit, AUV-ja ka marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me ligjin në fuqi.

Subjekti ushtron veprimtarinë e përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit ekzistues, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumësht, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Sipas AUV-së, subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi.

Në objekt janë gjetur sasi të mëdha të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme. Agjencia ka sqaruar se në këtë fazë nuk është marrë vendim për mbylljen e subjektit, pasi konstatimet përfundimtare do të nxirren vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.

Subjektit i është lënë vendim për zbatimin e kërkesave ligjore dhe udhëzimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. AUV ka theksuar se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet, ndërsa rezultatet e analizave do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm administrativë dhe ligjorë.

Burim: Ekonomia Online — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...