External Publication
Visit Post

Çfarë pozitë shtetërore mban trajneri që dyshohet se rrahu një 11-vjeçar në Durrës?

Zhurma Press July 2, 2026
Source

DURRËS — Një trajner futbolli dyshohet se ka rrahur një fëmijë 11-vjeçar gjatë një turniri në Durrës, sipas kallëzimit të babait të fëmijës, Din Qoqaj.

Fëmija, pjesë e shkollës së futbollit "Drini i Bardhë" nga Prizreni, kishte shkuar në turne me ekipin e tij, por pa u informuar prindi, u vendos të luante për një ekip tjetër, "Arbana". Qoqaj pretendon se trajneri i ekipit "Arbana", Bashkim Mallaku, ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.

Pas marrjes së lajmit, Qoqaj shkoi në Durrës, mori fëmijët dhe u drejtua Komisariatit të Policisë, ku nisi kallëzim penal. Ai zbuloi gjithashtu se Mallaku mban një pozitë shtetërore si gardian burgu në Prizren.

Mallaku, në bisedë me Nacionale , mohoi versionin e babait, duke deklaruar se veprimet e tij ishin "të menaxhueshme" dhe synonin vetëm të frikësonin fëmijët për të shmangur përplasje të mëtejshme. Ai nuk mohoi pozitën e gardianit, por këmbënguli se nuk kishte ushtruar dhunë ndaj 11-vjeçarit.

Shkolla "Arbana" nuk ka dhënë përgjigje, ndërsa trajneri i "Drini i Bardhë", Destan Kabashi, mohoi përgjegjësinë për fëmijën, duke deklaruar se ai ishte sjellë në turne nga kryetari i klubit, Mustafë Totaj, i cili nuk ka komentuar deri në publikimin e kësaj lajmi.

*Burim: Nacionale_* — Redaksia ZHURMA_

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...