{
  "$type": "site.standard.document",
  "bskyPostRef": {
    "cid": "bafyreibv5kotusio7ypglhlfnl2pq7lzvgppwxmrtgqe7sfirjpncviqra",
    "uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mph5ojkkin32"
  },
  "coverImage": {
    "$type": "blob",
    "ref": {
      "$link": "bafkreieefvdnh5nr7tsyrd65rx2eh6sjlyunx2ksqa2y6kuc5fps25ypae"
    },
    "mimeType": "image/jpeg",
    "size": 114022
  },
  "description": "Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanović, bën thirrje për zgjerim të shpejtë",
  "path": "/evropa-ballkani-pezull/",
  "publishedAt": "2026-06-29T18:48:51.000Z",
  "site": "https://zhurma.press",
  "tags": [
    "https://www.gazetatema.net/"
  ],
  "textContent": "Dubrovnik — Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të përshpejtojë integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se Evropa nuk mund t’i lejojë vetes të mbajë “çështje të papërfunduara” në rajon.\n\nDuke folur në Forumin e 19-të të Dubrovnikut, Kapetanović theksoi se zgjerimi nuk është më vetëm një politikë e BE-së, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit.\n\n“Angazhimi i Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm çështje e politikës së zgjerimit, por një domosdoshmëri strategjike për Evropën. Rajonit i duhet një rrugë e besueshme, e drejtë dhe e bazuar në merita drejt anëtarësimit, ndërsa zotimet politike duhet të shndërrohen në reforma, investime dhe përfitime konkrete për qytetarët”, u shpreh ai.\n\nSipas Kapetanović, në një botë gjithnjë e më të fragmentuar dhe të pasigurt, projekti evropian nuk mund të konsiderohet i plotë pa integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.\n\nDiskutimet në panel u fokusuan te nevoja për ta kthyer procesin e zgjerimit nga premtimet politike në rezultate konkrete, duke ruajtur një proces të drejtë dhe të bazuar në merita, në kushtet e sfidave të reja gjeopolitike dhe të sigurisë.\n\nNë panel morën pjesë ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si edhe përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të Austrisë.\n\nNë margjinat e Forumit të Dubrovnikut, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së zhvilloi gjithashtu një takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tone Kajzer, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.\n\n_Burim: Gazeta Tema,_ https://www.gazetatema.net/\n_— Redaksia ZHURMA_",
  "title": "Pse Evropa nuk mund të lërë Ballkanin 'pezull'?",
  "updatedAt": "2026-06-29T18:48:51.940Z"
}