{
  "$type": "site.standard.document",
  "bskyPostRef": {
    "cid": "bafyreibm7obhrodkcjmithyouxo7a3izyjb3qddyuaskqcouueisxdrayy",
    "uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mpeuiyhjkuw2"
  },
  "coverImage": {
    "$type": "blob",
    "ref": {
      "$link": "bafkreidayqcxgti354iabug7gtt6qguvxv2m5g35a6hpp45jlktedkgd3i"
    },
    "mimeType": "image/jpeg",
    "size": 288212
  },
  "description": "Si ndikoi takimi i Presidentit Begaj me homologun polak në ceremoninë e nderimit të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit?",
  "path": "/begaj-vlereson-mbeshtetjen-e-polonise/",
  "publishedAt": "2026-06-28T20:59:17.000Z",
  "site": "https://zhurma.press",
  "textContent": "— POZNAŃ — Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot, me ftesë të Presidentit të Republikës së Polonisë, Karol Nawrocki, në ceremoninë e nderimit të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit të vitit 1956, një nga ngjarjet më domethënëse të rezistencës kundër regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore.\n\nNë kuadër të ceremonisë, krerët e shteteve të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës riafirmuan angazhimin për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.\n\nNë margjinat e aktivitetit, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës së Polonisë, Karol Nawrocki. Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Polonia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Ai vlerësoi rolin udhëheqës të Polonisë brenda Bashkimit Evropian dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për t’u kujtuar shteteve anëtare se integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor përbën një domosdoshmëri gjeopolitike për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të plotë.\n\nKreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu ndihmën konkrete që Polonia ka ofruar për institucionet shqiptare përmes shkëmbimit të ekspertizës në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se përvoja e suksesshme e Polonisë në transformimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e standardeve evropiane është një model frymëzues për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.\n\nPresidenti Begaj shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë do të vijojnë të forcohen më tej, si në planin politik ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.\n\nNga ana e tij, Presidenti Nawrocki rikonfirmoi mbështetjen e Polonisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian dhe forcimit të partneritetit mes dy vendeve.\n\n_Burim: Top Channel, https://top-channel.tv/2026/06/28/presidenti-begaj-ne-poznan-takohet-homologun-polak-vleresojme-mbeshtetjen-e-palekundur-per-integrimin-ne-bashkimin-evropian/\n— Redaksia ZHURMA_",
  "title": "Pse Presidenti Begaj vlerëson mbështetjen e Polonisë për integrimin e Shqipërisë?",
  "updatedAt": "2026-06-28T20:59:17.589Z"
}