Pse protestuesit në Tiranë kërkojnë dorëheqjen e Ramës pas 28 ditësh?
TIRANË — Për të 28-tën ditë radhazi, qytetarët u mblodhën para Kryeministrisë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Marshimi nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së qeverisë u shoqërua me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa organizatorët theksuan kërkesat kryesore: dorëheqjen e kryeministrit, formimin e një qeverie teknike 12-mujore dhe ndryshimet ligjore.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj shpjegoi se lista e kërkesave, e dërguar edhe përfaqësive diplomatike, përfshin shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm dy mandate. “Janë lexuar njëzëri prej më shumë se tre javësh, duke thënë kërkesat e gjithë sheshit”, tha ajo për Report TV.
Një moment i veçantë i protestës ishte pjesëmarrja e eurodeputetes italiane Ilaria Salis, e njohur për qëndrime ekstremiste të së majtës. Pas takimit me Arlind Qorin dhe drejtues të Lëvizja Bashkë, Salis foli kundër imperializmit dhe kolonizimit, duke deklaruar: “Shqipëria nuk është në shitje. Të drejtat e njerëzve dhe natyrës duhet të vijnë përpara parasë dhe pushtetit të të pasurve”.
Protestuesit nuk kursyen ironinë ndaj kryeministrit Rama. Një prej tyre, duke përdorur inteligjencën artificiale, shfaqi imazhin e Diellës – figurës së ministrit të inteligjencës artificiale – në muret e Kryeministrisë, e cila “deklaroi” dorëheqjen e saj nga qeveria pas skandalit të Zvërnecit, duke shtuar se “radha juaj kryeministër”.
Thirrjet për ndërhyrjen e SPAK-ut ishin gjithashtu të pranishme. Një protestuese kërkoi arrestimin e Ramës, duke deklaruar: “SPAK-ut i bëjmë thirrje: mos e tremb, se ke gjithë Shqipërinë me vete. Merre dhe arrestoje, se e meriton burgun”. Një tjetër shtoi se arrestimi i Ramës do të hapte rrugën për një “Shqipëri të re”, duke kërkuar hetime për korrupsion dhe arrestime të ministrave të përfshirë në afera.
Protestuesit ngritën edhe një hapësirë në murin e Kryeministrisë, ku shkruajtën skandale qeveritare sipas tyre. Marshimi vazhdoi në rrugët e kryeqytetit, me numrin e pjesëmarrësve që u ul gradualisht. Ish-deputeti Ervin Salianji, i cili u bashkua protestës, e përshkroi tubimin si një mesazh se “frika është shembur” dhe se shoqëria shqiptare “është zgjuar”.
“Kur njerëzit humbasin frikën, asnjë makineri pushteti nuk mund ta ndalë ndryshimin. Bulevardi po flet dhe zëri i qytetarëve është më i fortë se çdo përpjekje për ta heshtur atë”, shkroi Salianji në rrjetet sociale.
*Burim: Shqiptarja_* — Redaksia ZHURMA_
Discussion in the ATmosphere