External Publication
Visit Post

Çfarë rol luajnë Kuvendi dhe KKIE në negociatat me BE-në?

Zhurma Press June 27, 2026
Source

TIRANË — Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) organizoi një takim ndërgjegjësues për rolin e Kuvendit dhe të vetë KKIE-së në negociatat me Bashkimin Europian. Aktiviteti, i mbështetur nga Shërbimi i Edukimit Qytetar dhe Zyra e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Shkup, u zhvillua në sallën plenare të Kuvendit me pjesëmarrjen e 30 studentëve të Akademisë Politike nga Maqedonia e Veriut.

Taulant Balla, bashkëkryetar i KKIE-së, prezantoi ecurinë e negociatave, duke theksuar se procesi nuk është vetëm një negociatë politike, por një transformim i thellë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ai vuri në dukje mbështetjen e lartë të qytetarëve për anëtarësimin në BE, duke e quajtur atë objektiv strategjik të vetëm të Shqipërisë.

Balla u ndal edhe te marrëdhëniet rajonale, duke kërkuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si kombësi shtetformues. Ai theksoi se e drejta për shkollim dhe përdorim të gjuhës shqipe është detyrim dhe nuk mund të negociohet, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të ecë përpara në rrugën e integrimit.

Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE-së, informoi pjesëmarrësit për monitorimin e zbatimit të detyrimeve, transparencën e procesit legjislativ dhe përafrimin me legjislacionin europian. Ajo theksoi nevojën për bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve, forcave politike dhe grupeve të interesit në këtë proces.

Takimi përfundoi me diskutime mbi sfidat e negociatave dhe perspektivën europiane të rajonit, ku studentët morën pjesë aktive me pyetje. Burim: ATSH — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...