{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreifiym5gqdtlft4zp5uvubnxcdsrcmjbg2etjy7tfkx2yypik76cme",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mp7clqcf4fi2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreiey2fvkte6rorjluxwvvxyo4fe5kewzldohg6naztsj6jaf2bnttq"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 367445
},
"description": "Dy projektligjet synojnë rritjen e transparencës në tregjet financiare dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare",
"path": "/qeveria-miraton-dy-projektligje-per-p-erafrimin-me-be-ne/",
"publishedAt": "2026-06-26T15:55:25.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Ibrahimaj",
"ATSH"
],
"textContent": "TIRANË, 26 qershor — Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj, bëri të ditur sot se Qeveria miratoi dy projektligje në kuadër të procesit të integrimit evropian, të cilat synojnë rritjen e transparencës në tregjet financiare dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare.\n\nMinistrja Ibrahimaj informoi se aktet e miratuara janë pjesë e kapitujve të negociatave që mbulon ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit. \"Dy projektligjet e miratuara janë pjesë e kapitujve që mbulon Ministria e Ekonomisë Inovacionit dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke i dhënë më shumë transparencë proceseve të biznesit\", tha Ibrahimaj.\n\nSipas saj, projektligji i parë ka të bëjë me transparencën e emetuesve të titujve, një fushë që mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. \"Projektligji është 100% i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ai përmirëson funksionimin e tregjeve të kapitalit, të cilat janë shumë të rëndësishme për krijimin e një klime më të mirë biznesi, si dhe rrit transparencën për emetimin e titujve, duke vendosur detyrime shtesë për publikimin e raporteve nga emetuesit\", u shpreh ministrja.\n\nIbrahimaj tha se Qeveria miratoi edhe një tjetër projektligj për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare, i cili është gjithashtu i përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian. \"Ky projektligj rregullon marrëdhëniet ndërmjet tregtarëve dhe synon të garantojë më shumë drejtësi në pagesat ndërmjet tyre, duke përcaktuar rregulla më të qarta për afatet e përmbushjes së detyrimeve kontraktore\", tha Ibrahimaj.\n\n_Burim:_ ATSH\n_— Redaksia ZHURMA_",
"title": "Pse miraton Qeveria dy projektligje për përafrimin me BE-në?",
"updatedAt": "2026-06-26T15:55:26.629Z"
}