Pse u tërhoq dhënia e 75 hektarëve të Gjilanit për 99 vjet?
GJILAN — Komuna e Gjilanit ka tërhequr nga rendi i ditës propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të dy parcelave komunale, sipas të dhënave të publikuara nga Insajderi.
Me vendimin e planifikuar, Komuna synonte t'i jepte në shfrytëzim për 99 vjet dy parcela me sipërfaqe totale prej mbi 75 hektarësh — më shumë se 750 mijë metra katrorë. Çështja ka nxitur reagime në Kuvendin Komunal.
Asamblisti dhe kandidati për deputet Gentrit Murseli ngriti dyshime për kompaninë e propozuar si përfituese, "NORD KOS", e themeluar më 24 prill të këtij viti — vetëm dy muaj para propozimit. "Kryetari i komunës, Alban Hyseni, tenton të japë pronat komunale në shfrytëzim sikur të ishin prona të tij private", ka shkruar Murseli. Ai pretendoi se nuk janë respektuar procedurat ligjore dhe se ka munguar transparenca.
Sipas ARBK-së, kompania figuron e regjistruar në emër të Zekrija Kamberit dhe Kastriot Visar Murselit, i cili ka adresë të deklaruar në Norvegji. Veprimtaria kryesore e kompanisë është kultivimi i bimëve njëvjeçare. Komuna e ka tërhequr propozimin pa e shqyrtuar në seancë.
Burim: Insajderi — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere