External Publication
Visit Post

Pse trajnohen 160 mjekë maqedonas kundër korrupsionit?

Zhurma Press June 22, 2026
Source

SHKUP — Mbi 160 mjekë, mami dhe staf mjekësor nga e gjithë Maqedonia do t'i nënshtrohen trajnimit mbi njohjen, parandalimin dhe raportimin e korrupsionit në kujdesin shëndetësor publik — iniciativë kombëtare që synon ta kthejë stafin mjekësor në linjën e parë të luftës ndaj praktikave korruptive.

Trajnimi organizohet nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave (ESE) si aktivitet kryesor i projektit "Sistem më i Fortë për Mbrojtje më të Drejtë: Ulja e Korrupsionit në Kujdesin Shëndetësor", financuar me mbështetje të Expertise France nëpërmjet Agence française de développement.

Javën e kaluar u mbajt faza e parë — trajnimi i trajnerëve — ku morën pjesë profesionistë shëndetësorë që do të zhvillojnë sesionet nëpër rajone të ndryshme të vendit. Ndër temat e mbuluara: sjellja etike në praktikë, lidhja mes etikës mjekësore dhe korrupsionit, dimensionet gjinore dhe mekanizmat e raportimit e llogaridhënies institucionale.

"Lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë pikërisht aty ku ndodh më shpesh — në institucionet e kujdesit shëndetësor", deklaruan nga ESE, duke theksuar se besojnë që punonjësit e shëndetësisë "mund të jenë pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit që po e gërryen sistemin e kujdesit shëndetësor publik".

Profesoresha Gordana Panova, njëra nga ligjërueset, vuri në qendër parimet etike si mjet parandalimi: bamirësia, respekti për interesat dhe të drejtat e pacientëve, drejtësia, konfidencialiteti dhe përgjegjësia profesionale. "Ata duhet t'i ndjekin këto parime çdo ditë dhe kështu të parandalojnë korrupsionin", tha ajo.

Eksperta Liljana Cvetanoska nënvizoi se llojet e ndryshme të korrupsionit kërkojnë masa të ndryshme: "Ekzistojnë masa të ndryshme kur bëhet fjalë për dhënien e dhuratave ose pagesave nga pacientët, por masa krejtësisht të ndryshme kur bëhet fjalë për korrupsionin në prokurimin publik." Ky i fundit "ka ndikim shumë serioz në cilësinë e shërbimeve shëndetësore që marrin" qytetarët, shpjegoi ajo.

Punonjësit e pranishëm e vlerësuan trajnimin si të dobishëm dhe të zbatueshëm, sidomos në njohjen e rreziqeve të korrupsionit, aspekteve gjinore, trajtimin e barabartë të pacientëve dhe mekanizmat mbrojtës. Projekti ndërthur tri boshte: trajnimin e profesionistëve, ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe reformimin e politikave e proceseve shëndetësore.

Burim: Telegrafi — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...