External Publication
Visit Post

Pse zbarkoi SPAK te biznesmeni Dodë Doçi?

Zhurma Press June 20, 2026
Source

TIRANË — Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet pas operacionit të zhvilluar më 16 qershor, ku u godit një rrjet kriminal që dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve europiane. SPAK dyshon se ky aktivitet i paligjshëm ka gjeneruar shuma të mëdha parash që po pastrohen në Shqipëri.

Në kuadër të kësaj çështjeje, hetuesit kanë ushtruar kontrolle ndaj 17 biznesmenëve dhe më shumë se 30 kompanive që operojnë kryesisht në ndërtim. Mes subjekteve të kontrolluara është edhe kompania “Lura shpk”, e njohur për komplekset e vilave në Gjirin e Lalëzit, si dhe administratori i saj, Dodë Doçi.

Ndonëse nuk dihet ende arsyeja specifike e kontrolleve ndaj shoqërisë “Lura”, emri i Doçit përmendet në vendimin gjyqësor lidhur me hetimin e Salvador alias Shpëtim Aliu dhe Isa Aliu. Gjatë bastisjeve, hetuesit kanë sekuestruar ose kërkuar të sekuestrojnë pajisje kompjuterike, celularë dhe dokumente financiare për të zbuluar lidhjet e mundshme mes tyre.

Në krye të këtij grupi kriminal dyshohet se qëndron Salvador Aliu, ndërsa SPAK ka lëshuar urdhër-arreste edhe për emra të njohur si Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika. Prokuroria e Posaçme dyshon se paratë e fituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës janë investuar direkt në sektorin e ndërtimit dhe në projekte turistike.

Sipas skemës së zbuluar, fondet e dyshuara kalonin përmes një rrjeti individësh dhe ortakësh për të shmangur gjurmimin dhe për t'u shndërruar në investime të ligjshme turistike. Hetimet e SPAK-ut po fokusohen pikërisht te zbulimi i çdo lidhjeje të mundshme mes kapitalit me origjinë kriminale dhe projekteve zhvillimore në vend.

Burim: Tetova Sot — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...