Si po tentonin pesë shqiptarë të merrnin leje qëndrimi në Angli?
SHEFFIELD — Pesë shtetas shqiptarë po përballen me akuza të rënda nga autoritetet britanike për përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi me martesa fiktive. Prokuroria e Kurorës (CPS) njoftoi se ky rrjet synonte sigurimin e paligjshëm të të drejtës së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimet e autoriteteve britanike u finalizuan pas një sërë operacionesh të zhvilluara nga Home Office në Angli dhe Uells më 17 qershor. Prokurorët pretendojnë se të pandehurit siguronin certifikata të rreme martese, të cilat paraqiteshin si të lëshuara në Qipro, për të provuar lidhje me shtetas të BE-së.
Këto dokumente të falsifikuara përdoreshin më pas për të pretenduar qëndrimin në kuadër të Skemës së Vendosjes së BE-së (EU Settlement Scheme), e krijuar posaçërisht pas Brexit-it. Kjo procedurë u mundësonte shtetasve shqiptarë aplikimin për status qëndrimi përmes deklarimeve të rreme.
Katër prej të pandehurve, Kastriot Hoxha 31 vjeç, Sina Ervin 35 vjeç, Kadri Sinamati 28 vjeç dhe Valdet Qoshi 40 vjeç, akuzohen për mashtrim dhe shkelje të ligjit të emigracionit. Ata ndodhen në paraburgim dhe do të paraqiten më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Sheffield.
Përveç akuzave kryesore për mashtrim me dokumentet e qëndrimit, Kastriot Hoxha përballet gjithashtu me një akuzë shtesë për posedim kanabisi me qëllim furnizimin. Seancat e para ndaj këtyre shtetasve shqiptarë u zhvilluan në gjykatat e magjistraturës në Doncaster, Leeds dhe Sheffield.
Shqiptari i pestë, D.H., 30 vjeç, tashmë ka pranuar fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës në Birkenhead për mashtrim me deklarim të rremë dhe dy vepra të tjera. Ai u akuzua më 17 qershor dhe do të dënohet më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Liverpool.
Prokurori Shaun Sigamoney deklaroi se pranimi i fajësisë nga njëri prej të akuzuarve nuk ndikon në procesin e katër të tjerëve, të cilët konsiderohen të pafajshëm. Procedurat penale janë në zhvillim e sipër dhe të gjithë të pandehurit kanë të drejtën e një gjykimi të drejtë.
Burim: IndeksOnline — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere