External Publication
Visit Post

Vetëm 9 vendvotime pa rinumërim: KQZ mbyll procesin paradite

Zhurma Press June 19, 2026
Source

PRISHTINË — Procesi i rinumërimit të vendvotimeve po mbyllet. Gjatë ditës së parë, KQZ-ja arriti të rinumërojë 176 nga gjithsej 185 vendvotimet e caktuara për kontroll. Nëntë vendvotimet e fundit priten të rinumërohen gjatë paradites së 19 qershorit, duke e finalizuar kështu procesin, sipas Lajmi.net.

Gjithsej 185 vendvotimet e rinumëruara përbëjnë 7.41% të 2,498 vendvotimeve të rregullta ku u zhvillua votimi i 7 qershorit 2026, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Vendimi mbështetet ligjërisht në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e QNR-së. Ky akt nënligjor parasheh që KQZ-ja të vlerësojë situatën pas pranimit të materialeve zgjedhore dhe, sipas nevojës, të vendosë rinumërim.

"Kjo masë kontrolli është paraparë për të adresuar problemet e evidentuara në disa Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, me qëllim sigurimin e saktësisë së procesit", tha Elezi.

Gjeografikisht, lista shtrihet nëpër gjithsej 35 komuna të Kosovës. Prishtina kryeson me 18 vendvotime të rinumëruara, e ndjekur nga Prizreni me 16, Ferizaji e Gjakova me nga 10 secila, Gjilani e Peja me nga 9, Podujeva me 7.

Edhe komunat veriore janë në listë: Mitrovica e Veriut, Leposaviq e Zubin Potoku me nga 2 vendvotime secila. Komunat me numrin më të ulët janë Junik, Mamushë dhe Hani i Elezit — me nga 1 secila. Procesi mbyllet si kontroll pas problemeve të konstatuara në dhjetor.

Burim: Lajmi.net — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...