Pse paguan shoferi kosovar deri 8,000 franga më shumë se zviceriani?
BERN — Shtetasit e Kosovës që jetojnë në Zvicër paguajnë deri 8,072 franga zvicerane në vit më shumë se moshatarët zviceranë për të njëjtin sigurim makine. Ky është përfundimi i analizës të publikuar të enjten nga portali krahasues Bonus.ch, i cili mat ndikimin e moshës, kombësisë dhe vendbanimit në primet e sigurimit.
Sipas analizës, vetëm kombësia (shtetësia) përbën mbi 5,000 franga të diferencës totale, ndërkohë që mosha shton rreth 2,500 franga dhe vendbanimi 500 franga të tjera. Një shofer 18-vjeçar me leje qëndrimi C dhe origjinë kosovare paguan mesatarisht 63 për qind më shumë se një shtetas zviceran i së njëjtës moshë.
Shembulli më ekstrem krahason një shofer të ri kosovar banues në Lugano me një mbajtës 30-vjeçar të polisës zvicerane që banon në Köniz, afër Bernës. Për sigurimin gjithëpërfshirës të një automjeti "paksa sportiv" me të njëjtin sigurues, diferenca arriti në 8,072 franga zvicerane.
Portali albinfo.ch, i cili e transmetoi analizën, thekson se ky fenomen nuk është i ri: viteve të fundit, shtetasit e Kosovës — sidomos të rinjtë — rezultojnë vazhdimisht si më të dëmtuarit nga diskriminimi kombëtar në çmimet e sigurimeve, të ndjekur nga shtetas të vendeve të tjera ballkanike dhe turq.
Burim: Gazeta Express — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere