External Publication
Visit Post

Pse procedoi policia 23 protestues pas tubimit të mërkurës?

Zhurma Press June 18, 2026
Source

TIRANË — Policia e Shtetit njoftoi të enjten se shërbimet e DVP Tiranë kanë proceduar penalisht 23 protestues që morën pjesë në tubimin e mbrëmjes së mërkurës, 17 qershor. Identifikimin e kanë kryer specialistët e Hetimit të Krimeve pranë Komisariatit Nr. 3 — personat figurojnë vetëm me inicialet e tyre.

Nga hetimet rezultoi se disa prej pjesëmarrësve organizuan dhe drejtuan turmën duke devijuar nga itinerari i njoftuar paraprakisht, duke bllokuar kështu qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të kryeqytetit. Policia njoftoi se vazhdon punën për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës.

Materialet procedurale do t'i referohen Prokurorisë për tre vepra penale: "organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Krahas kësaj, Policia raporton edhe një kallëzim tjetër. Më 17 qershor, shtetasi R. M. u paraqit në Komisariatin Nr. 2 të Tiranës dhe kallëzoi se gjatë protestës së 16 qershorit u kanosur nga shtetasi G. P., pas një debati lidhur me publikimin e një videoje ku pretendohej se G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium.

G. P. u thirr nga policia, dha deklarim dhe pranoi se kishte kërkuar sqarime nga kallëzuesi për videon e publikuar. Edhe ky material do t'i referohet Prokurorisë. Kallëzuesi ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga G. P.

Burim: ATSH — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...