Ekspozita "Liria" e Hazir Rekës hapet në Uashington për Ditën e Çlirimit
UASHINGTON — Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës organizoi ekspozitën “Liria” të fotografit të njohur kosovar, Hazir Reka. Sipas njoftimit, ekspozita paraqiti një përmbledhje të fotografive që dokumentojnë sakrificën, qëndresën dhe shpresën e popullit të Kosovës në periudha të ndryshme historike, duke vënë në pah edhe rolin dhe kontributin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ambasadori Ilir Dugolli e cilësoi Rekën si “kronistin jozyrtar të historisë moderne të Kosovës”. Përmes objektivit të tij, Reka ka dokumentuar ngjarjet kryesore: nga represioni dhe rezistenca paqësore, te lufta, çlirimi dhe shtetndërtimi.
“Fotografitë e tij përbëjnë një kronikë vizuale – histori, dëshmi dhe vepër arti njëkohësisht. Përmes tyre, ne shohim historinë e një vendi, por edhe fitojmë një kuptim më të thellë të vetë domethënies së lirisë”, tha Dugolli. Ai veçoi një fotografi të realizuar më 30 gusht 1990 në qendër të Prishtinës, gjatë vizitës së delegacionit të parë të Kongresit amerikan në Kosovë, të udhëhequr nga senatori Bob Dole.
Në atë fotografi, pavarësisht përpjekjeve të policisë serbe për ta shpërndarë masën e qytetarëve, një burrë qëndroi ulur qetësisht në rrugë duke refuzuar të largohej. Dugolli e përshkroi atë si pasqyrim të guximit të qytetarëve të Kosovës dhe shpresës së madhe që shqiptarët e Kosovës kishin te mbështetja amerikane në vitet më të vështira.
“Fotografitë si kjo mbesin rikujtim i fuqishëm i rrugëtimit të Kosovës dhe i marrëdhënieve të veçanta me Shtetet e Bashkuara”, theksoi ambasadori. Ekspozita vë në pah edhe rolin e SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Burim: Zëri_, http://www.zeri.info/kultura/626953/dita-e-clirimit-te-kosoves-ekspozita-liria-e-hazir-rekes-hapet-ne-shba/ — Redaksia ZHURMA_
Discussion in the ATmosphere