{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreicxzdasghq5phgxk3n2r4xzhrjgimuyhworgq72uhbuvbnpqzionu",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3moiuuor3ypo2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreih7xplcmtbx7xiq7izce4znsf2wlifcijfxs27vewk3aboilwwjre"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 110367
},
"description": "Pse e quan Rutte lajm të mirë reduktimin e ushtarëve në Kosovë?",
"path": "/nato-zvogelon-kforin-kosove-3000-3500-trupa/",
"publishedAt": "2026-06-17T17:51:18.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Mark Rutte",
"Koha.net"
],
"textContent": "BRUKSEL — Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë planin për të reduktuar numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, nga rreth 4.700 aktualisht në 3.000-3.500 trupa. Rutte foli të mërkurën para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të aleancës, që zhvillohet në dy ditët e ardhshme, të enjte dhe të premte.\n\n\"Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm\", tha Rutte, duke përsëritur se misioni do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë.\n\nKy nivel i ri do të rikthejë praninë e para-vitit 2023. NATO-ja kishte rritur trupat pas trazirave të majit 2023 dhe sulmit në Banjskë në vjeshtë të të njëjtit vit, duke dislokuar forca rezervë sidomos në veriun e banuar kryesisht me serbë, të cilat ndërpreu rotacionin dyvjeçar në janar të këtij viti.\n\nSipas të dhënave të prillit, KFOR-i numëron 4.657 persona nga 31 shtete — jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti kontribuojnë Italia me 907, Shtetet e Bashkuara me 590, Hungaria me 408, Turqia me 382 dhe Gjermania me 308 ushtarë. Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se KFOR-i do të ketë gjithmonë numrin e duhur të ushtarëve që kërkon situata për të zbatuar mandatin.\n\nKomandanti i forcave të NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, kishte paralajmëruar \"optimizimin\" e misionit disa ditë më parë. Rutte theksoi se duke shikuar përpara, NATO-ja synon të kthehet në nivelin e pranisë së para 2023-s, por duke theksuar se kjo do të varet edhe nga rrethanat dhe se KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa, duke reflektuar situatën e përmirësuar të sigurisë.\n\n_Burim:_ Koha.net_(Autor: Augustin Palokaj, 17 qershor 2026)\n— Redaksia ZHURMA_",
"title": "NATO-ja zvogëlon KFOR-in në Kosovë në 3.000-3.500 trupa",
"updatedAt": "2026-06-17T17:51:18.887Z"
}