Si do të gjykohen 21 të akuzuarit për masakrën e Reçakut?
PRISHTINË — Gjykimi në mungesë ndaj 21 ish-pjesëtarëve të forcave serbe për masakrën e Reçakut pritet të nisë muajin e ardhshëm. Prokuroria Speciale e Kosovës ka zbardhur detaje të rënda përmes një aktakuze prej 91 faqesh, e cila përshkruan vrasjet, dëbimet dhe trajtimin çnjerëzor të civilëve shqiptarë më 15 janar 1999.
Sipas dokumentit, forcat serbe dyshohet se morën pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e 42 civilëve shqiptarë. Aktakuza përmban një tabelë me 40 viktima, ku përshkruhen organet e dëmtuara dhe numri i plagëve, ku njëri prej të vrarëve kishte pësuar plot 20 plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit.
Operacioni policor dhe ushtarak serb nisi mëngjesin e 15 janarit rreth orës 06:00, duke granatuar Reçakin nga pozicionet “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpum”. Më pas, trupat serbe hynë në fshat me automjete të blinduara, duke kryer kontrolle të dhunshme shtëpi për shtëpi.
Pjesë e dosjes së Prokurorisë është edhe dëshmia e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili dokumentoi ngjarjen. Ndonëse kjo aktakuzë u dorëzua në dhjetor, hetimet kanë vazhduar edhe gjatë muajve të fundit për të identifikuar të dyshuar të tjerë.
Burim: Gazeta Express, https://www.gazetaexpress.com/masakra-e-recakut-muajin-e-ardhshem-fillon-gjykimi-ne-mungese-kunder-21-te-akuzuarve/ — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere