Si po mbrohen gështenjat shqiptare nga grerëza dëmtuese?
TIRANË — Lufta biologjike kundër grerëzës së gështenjës po vijon për të tretin vit radhazi në Shqipëri. Ky dëmtues po kërcënon masivet e gështenjave në vendin tonë, duke bërë që Ministria e Mjedisit të ndërmarrë ndërhyrje biologjike për të mbrojtur këto pyje me rëndësi të veçantë.
Ministri Sofjan Jaupaj deklaroi se ky dëmtues rrezikon mbi 10,670 hektarë sipërfaqe pyjore. Gështenja shqiptare prodhon rreth 250 mijë tonë në vit dhe është një nga produktet tona më të vlerësuara në tregjet e huaja, duke e renditur vendin mes eksportuesve kryesorë.
Sipas specialistëve të mjedisit, këto pyje janë një pasuri e çmuar natyrore, ekonomike dhe kulturore. Në një video të publikuar nga Jaupaj, specialistët apeluan për bashkëpunim për mbrojtjen e kësaj trashëgimie, e cila mbron biodiversitetin dhe tokën nga erozioni i vazhdueshëm.
Gështenja shërben si lëndë e parë në sektorë të ndryshëm dhe ka vlera të mëdha ushqimore e mjedisore në shumë zona. Ndërhyrja biologjike synon që ky sektor të ruhet dhe të gëzohen frytet e tij edhe për brezat që do të vijnë.
Burim: ATSH — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere