External Publication
Visit Post

93.4% e nxënësve në Kosovë përdorin AI për detyra shtëpie

Zhurma Press June 12, 2026
Source

PRISHTINË — Një hulumtim i organizatës "ETEA", i realizuar për dy muaj e gjysmë në gjashtë komuna të Kosovës, ka zbuluar se 93.4 për qind e nxënësve të shkollave fillore përdorin aplikacione të inteligjencës artificiale (AI), kryesisht për të kryer detyrat e shtëpisë.

Drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, tha se mbi 50% e nxënësve e përdorin AI-në "vazhdimisht" për të përfunduar detyrat e shtëpisë, për hulumtime dhe projekte shkollore. Sipas tij, inteligjenca artificiale përdoret më së shumti në lëndët e matematikës dhe ato të shkencave ekzakte.

Profesoresha në Fakultetin e Edukimit, Krenare Pireva-Nuqi, e cila udhëhoqi matjet në klasat e 5-ta, 7-ta dhe 9-ta, theksoi se "mbi 93.4% janë deklaruar që e përdorin Gen AI". Ajo rekomandoi që këto statistika t'i shërbejnë vendimmarrësve për të krijuar një kornizë kombëtare që rregullon përdorimin e AI-së në shkolla në mënyrë etike dhe transparente, njëlloj si vendet fqinje.

Njohësi i inteligjencës artificiale, Darsej Rizaj, vlerësoi se është me rëndësi që fëmijët të edukohen për përdorimin e AI-së, duke parandaluar kështu pasojat negative të mungesës së kontrollit dhe edukimit.

Të dhënat e hulumtimit u janë dorëzuar drejtorive të arsimit në komunat përkatëse, bashkë me kërkesën për të nisur hartimin e një kuadri kombëtar për edukimin e nxënësve në përdorimin e inteligjencës artificiale. Burim: Telegrafi — Redaksia ZHURMA

Discussion in the ATmosphere

Loading comments...