Pse MPJD-ja pagoi 20 diplomatë edhe pas skadimit të mandateve të tyre?
PRISHTINË — Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2025, duke evidentuar shkelje të shumta ligjore. Sipas raportit të prezantuar nga auditori, personeli diplomatik ka marrë paga të rregullta edhe pas skadimit të mandateve të tyre ligjore.
Ministria e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwarz ka shkelur ligjin duke mos respektuar afatet dhe procedurat përkatëse. Auditori ka gjetur se në 20 përfaqësi diplomatike dhe konsullore ka pasur tejkalim të afatit ligjor për ushtrimin e funksionit diplomatik, ku zyrtarët vazhduan të paguheshin pa pasur dekrete të reja aktive.
Sipas gjetjeve specifike të ZKA-së, rastet e diplomatëve me mandate të skaduara katërvjeçare datojnë nga vite të ndryshme. Raporti specifikon se bëhet fjalë për një rast të tillë në vitin 2022, shtatë raste në vitin 2023, si dhe gjithsej 12 raste të tjera përgjatë vitit 2025.
Këto pozita të larta diplomatike përfshijnë gradat e Ambasadorit dhe Konsullit të Përgjithshëm, të cilët kanë vazhduar punën pa pasur asnjë dekret tjetër për vazhdim mandati. ZKA ka theksuar gjithashtu se nga këta 20 diplomatë të paguar jashtëligjshëm, nëntë prej tyre nuk janë anëtarë të përhershëm të shërbimit të jashtëm.
Auditori ka sqaruar se kjo parregullsi ka ardhur si pasojë e mosiniciimit të procedurave të nevojshme nga ana e MPJD-së për menaxhimin e përfundimit të mandateve. Po ashtu, janë identifikuar edhe tri raste të tjera ku pozitat e rregullta të punës mbaheshin me ushtrues detyre, duke tejkaluar afatin e lejuar ligjor.
Për pozitat e rregullta që mbaheshin me ushtrues detyre, ministria nuk shpalli asnjë konkurs rekrutimi gjatë vitit 2025, ndonëse ishin të planifikuara në planin e personelit. Ndërkohë, raporti thekson se numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte paraparë 389, por në fund të vitit kishte vetëm 345.
Në aspektin financiar, ZKA gjeti se shpenzimet e MPJD-së u ndanë kryesisht në mallra dhe shërbime me 64.74%, ndërsa në paga dhe mëditje 24.24%. Pjesa tjetër shkoi për investime kapitale me 7.13%, subvencione e transfere 2.14%, dhe 1.74% për komunalitë.
Burim: IndeksOnline — Redaksia ZHURMA
Discussion in the ATmosphere