{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreihsw6wvgaei7nysqxgytbdlsy4jdwqkt3tpqpzfqsrp73nw2hdafi",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mo232q4adfi2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreicct4djk6t4h2ngxjszszworkzpkwnlzf2zbvtgbzxn5kd5k3k3nu"
},
"mimeType": "image/jpeg",
"size": 299118
},
"description": "Pse po vonohet pastrimi i lumit Krena pavarësisht premtimeve të institucioneve?",
"path": "/lumi-krena-gjakove-ndotje-qytetaret/",
"publishedAt": "2026-06-11T20:32:06.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"KRM",
"Zëri"
],
"textContent": "GJAKOVË — Ndotja në zonën përreth lumit Krena po shqetëson qytetarët e Gjakovës, të cilët thonë se mbeturinat po dëmtojnë biodiversitetin dhe bukurinë natyrore të kësaj hapësire. Shumë prej tyre e frekuentojnë zonën për shëtitje dhe rekreacion, por ndotja e vazhdueshme po i largon nga ky vend që dikur njihej për pastërtinë e saj.\n\n\"Këtu ka pasur dikur me vjet, ka pasur peshk, ka qenë i mbushur. Ka edhe shpendë që vijnë, është bukuri natyrore. Por me mbeturina, as nuk e sheh peshkun, as shpendët, asgjë\", tha Shaban Berisha, banor i zonës. Ai shtoi se ndotja ka bërë që kjo hapësirë të humbasë tërësisht vlerat e saj ekologjike.\n\nArtem Paçarizi, tjetër qytetar, njoftoi se edhe Federata e Peshkimit e ka ndaluar aktivitetin e peshkimit në këtë zonë për shkak të ndotjes. \"Disa njerëz të papërgjegjshëm me mbeturina siç janë duke i hedhur, atëherë peshku nuk jeton këtu. Ju lutem që dikush të ndërmerr masa, përndryshe kjo bukuri do të shkatërrohet\", tha ai.\n\nNga Kompania Rajonale e Mbeturinave \"Çabrati\" sqarojnë se segmenti i ndotur ndodhet në pjesën ku ende po zhvillohen punime për rehabilitimin e shtratit të lumit. \"Pjesa që përfshin daljen prej Gjakovës, prej Sharrësgutit, është e papërfunduar. Do të pastrohet pasi të përfundojnë punimet\", tha Behar Ferizi, drejtor i KRM \"Çabrati\".\n\nFerizi shtoi se pjesa e lumit që përshkon qytetin pastrohet në baza javore, sipas nevojës edhe dy ose tri herë në javë, por theksoi se \"secili qytetar është përgjegjës për ruajtjen e ambientit\". Komuna e Gjakovës konfirmoi po ashtu se zona vazhdon të jetë në proces rregullimi.\n\n\"Në momentin kur të përfundojë rregullimi, KRM 'Çabrati' do ta marrë në menaxhim dhe do të bëjë pastrimin e zonës\", tha Artan Haraqia, Udhëheqës i sektorit për informim në Komunën e Gjakovës. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për të ruajtur vlerat natyrore që e kanë karakterizuar këtë pjesë ndër vite.\n\n_Burim:_ Zëri\n_— Redaksia ZHURMA_",
"title": "Lumi Krena në Gjakovë mbushet me mbeturina, qytetarët kërkojnë ndërhyrje",
"updatedAt": "2026-06-13T23:50:21.851Z"
}