{
"$type": "site.standard.document",
"bskyPostRef": {
"cid": "bafyreibp44ylw3i64fcx35eyaztbi7vjfuzhtnp7kkkqzmthu65nl6zgwu",
"uri": "at://did:plc:wib47ggfushco6az6mwbz77k/app.bsky.feed.post/3mnzs4v44orz2"
},
"coverImage": {
"$type": "blob",
"ref": {
"$link": "bafkreih3bhzn5yke2tiieyenlhugh77dfulqeudknoc4qak4qooxnk53j4"
},
"mimeType": "image/png",
"size": 293832
},
"description": "Pse dy ministri maqedonase po mbrohen nga akuzat për prokurime të dyshimta?",
"path": "/qkq-mpb-fitime-pasaporta-evakuim-lindja-e-mesme/",
"publishedAt": "2026-06-11T17:52:05.000Z",
"site": "https://zhurma.press",
"tags": [
"Portalb"
],
"textContent": "SHKUP — Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) publikoi të enjten hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”, që analizon tre procedura tenderimi me “flamuj të kuq” për transparencën dhe mbrojtjen e fondeve publike.\n\nRasti i parë lidhet me prokurimin e dokumenteve personale. Në pesë vitet 2021–2025, qytetarët paguan 73 milionë euro për pasaporta, letra njoftimi dhe patenta shoferi, ndërsa MPB-ja shpenzoi vetëm 29 milionë euro për prodhimin e tyre — diferencë prej 44 milionë eurosh. Vetëm për pasaporta, qytetarët paguan 60 milionë euro, ose 82% e totalit të të ardhurave nga dokumentet personale.\n\nKontrata me kompaninë gjermane Giesecke+Devrient, e fituar në 2005 me vlerë 23,5 milionë euro për 11 vjet, skadoi në 2016. QKQ-ja kritikon se MPB-ja nuk ka publikuar kushtet e vazhdimit të bashkëpunimit, ndërsa kontratat dhe anekset janë klasifikuar si konfidenciale — madje edhe numri i dokumenteve të lëshuara.\n\nRasti i dytë përfshin tenderin e MPJ-së për evakuimin e qytetarëve nga Lindja e Mesme në mars 2026. QKQ-ja gjeti se fluturimet nga Dubai dhe Riadi u paguan plotësisht paraprakisht, kundër Ligjit për Prokurime Publike që lejon vetëm 20% paradhënie. Pagesat nuk ishin të siguruara me garanci bankare, as të parashikuara në tender.\n\nProcedura e parë, me 9 kompani të ftuara, u anulua; në të dytën u kërku ofertë vetëm nga Avialog Skopje, që MPJ-ja pretendon se përfaqësonte FlyDubai. QKQ-ja vëren se karta e angazhimit në FlyDubai i përkiste themeluesit të Avialog si person fizik, pa dëshmuar lidhje ligjore mes kompanive. Oferta u dorëzua më 6 mars në orën 14:00; po atë ditë ndodhën negociatat, lidhja e kontratës, lëshimi i faturës dhe pagesa.\n\nMe 4 fluturime u evakuuan 590 udhëtarë, 521 prej tyre shtetas të Maqedonisë; 27 të huaj u transportuan në bashkëpunim me ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kosto për person: 1.548 euro nga Dubai, 1.960 euro nga Riadi. QKQ-ja thekson se në BE evakuuarit zakonisht marrin pjesë në shpenzime, ndërsa këtu i mbuloi plotësisht shteti.\n\nMPJ-ja i hodhi poshtë pretendimet si “të pabaza”, duke argumentuar kushtet e luftës dhe rreziqet e sigurisë, dhe duke thënë se “Fly Dubai” ishte opsioni i vetëm pas anulimit të ofertave të para. QKQ-ja u përgjigj se nuk kundërshton nevojën për evakuim, por respektimin e rregullave edhe në gjendje të jashtëzakonshme — pagesa paraprake nuk ishte parashikuar në dokumentacionin e tenderit.\n\n_Burim:_ Portalb\n_— Redaksia ZHURMA_",
"title": "QKQ: MPB fiton 44 milionë euro mbi koston e pasaportave",
"updatedAt": "2026-06-11T17:52:06.056Z"
}